BENJI – Një hero i pastrehë në shtëpi që u shpëtoi jetën 2 fëmijëve

BENJI – Një hero i pastrehë në shtëpi që u shpëtoi jetën 2 fëmijëve

“Benji” është një film familjar që flet për dashurinë mes një qenushi endacak dhe dy fëmijëve që së fundmi kishin humbur babain e tyre. Ky film aventuresk ju mban pezull dhe me vëmendjen aty gjatë gjithë ngjarjes.

Pasi i marrin të ëmën, Benji mbetet një qenush jetim. Jeton rrugëve duke gjetur ushqim dhe duke pushuar kudo që të mundet. Përmes një udhëtimi të gjatë, përfundon në pjesën e pasme të një kamioni që transporton mobilje dhe e gjen veten në qytet, ku takon Carter-in. Djali përpiqet të ushqejë qenin, por Benji është i ndrojtur dhe nuk di kujt t’i besojë.

Ai vrapon për t’u fushehur por më vonë kupton se Carter nuk është një djalë i rrezikshëm dhe prandaj ndjek djaloshin dhe të motrën e tij, Frankie, në shtëpi. Carter dhe Frankie e lejojnë qenin të futet brenda. Pasi e lanë dhe luajtën me të gjithë pasditen, kur nëna e tyre vjen në shtëpi, ata e fshehin Benjin në mënyrë që ajo të mos e shohë.

Të nesërmen në mëngjes, kur nëna e tyre vjen për të zgjuar fëmijët për në shkollë, Benji e befason duke lehur para saj. Ajo çmendet kur zbulon se fëmijët e saj kanë sjellë një qen endacak në shtëpi dhe kërkon që ta heqin menjëherë.

Në një ditë të trishtuar, me shi, Carter e nxjerr Benjin përsëri në rrugë. Pas kësaj ata shkojnë të trishtuar në një dyqan për të blerë, por kur mbërrijnë aty, një grabitje po ndodhte dhe pronari i dyqanit po mbahej peng. Njërit prej grabitësve i bie maska dhe dy fëmijët shohin fytyrën e tij.

Për këtë, grabitësit kapin fëmijët dhe i fusin në furgon. Por Benji, i cili kishte ndjekur fëmijët, ndjek furgonin pa reshtur me vrap deri në shtëpinë e braktisur ku grabitësit lanë fëmijët. Benji më pas kthehet me vrap në qytet dhe me të lehurat e tij bind nënë e Carter dhe Frankie-t që ai e di se ku ndodhen fëmijët. Por a mundet t’i shpëtojë në kohë fëmijët? Dhe çfarë ndodh më pas me Benjin? Shijoni filmin.