Pelikani rikthehet në Prespë dy vite pas epidemisë së gripit të shpendëve

Pelikani rikthehet në Prespë dy vite pas epidemisë së gripit të shpendëve

Pelikani kaçurrel, shpendi i rrallë i cili është klasifikuar në rrezik zhdukje po rikthehet në liqenin e Prespës së Madhe.   

Pas gripit të shpendëve dy vite më parë që shkaktoi humbjen në masë të këtij shpendi, situata duket se po përmirësohet dhe numri i pelikanëve është duke u rritur.

Pelikani kaçurrel shfaqet në zonën e Pustecit gjatë stinës së ngrohtë ndërsa folezimin e bën në pjesën greke të liqenit por përgjatë dy viteve të fundit prezenca e tij thuajse mungonte ndërsa përmirësimi i lehtë i situatës duket shpresëdhënës për specialistët e zonave të mbrojtura.

“Ne jemi para një fakti që diskutohet për pelikanin kaçurrel që është një nga shpendët më të mëdhenj fluturues që ekziston. Prezenca e tij në liqenet e Prespës mund të themi që nga pranvera e vitit 2022, është reduktuar në masë për arsye të rënies së gripit të shpendëve, dhe në momentin pasi aty folezon pelikani kaçurrel, e kur mbërrin në Prespën greke, ka humbur një numër i konsiderueshëm pelikanësh. Vitin e parë pas rënies së shpendëve, mund të them që është rralluar jashtë mase dhe prezenca në liqenet e Prespës ka qenë shumë e ulët.

Nga censusi që kemi zhvilluar ne në liqenet e Prespës së Madhe, kemi gjetur rreth 50 pelikanë, kur para rënies së gripit të shpendëve rreth datës 5-6 të muajit Maj, ne brenda një dite kemi numëruar rreth 495 individë. Pra shikojmë një reduktim në masë të këtij shpendi. Sot e kësaj dite numri ka ardhur duke u rritur, për arsye edhe të daljes së individëve të rinj dhe numri po vjen duke u rritur“-shprehet eksperti Vasil Male.

Sipas ekspertëve Pellgu ujëmbledhës dhe liqenet e Prespës janë një habitat për një numër të konsiderueshëm shpendësh, kryesisht ato të ujit mes të cilëve edhe specie të rralla.