Një histori për luftën, miqësinë dhe mbijetesën

“Kali i Luftës” është një roman i Michael Morpurgo që tregon historinë prekëse të një kali të quajtur Joey. Që kur ishte veç një mëz i vogël, Joey u ble nga një fermer dhe u rrit me kujdes nga djali i tij, Alberti.

Midis tyre u krijua një lidhje e fortë, një miqësi e veçantë që dukej se do të zgjaste përjetë. Albert e trajtonte Joey-n si shokun e tij më të ngushtë, i fliste me dashuri dhe i mësonte të gjitha komandat e nevojshme për ta pasur pranë si mik besnik.

Por jeta e tyre ndryshoi kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Joey u shit për ushtrinë dhe u mor në front, duke u ndarë nga Alberti pa e ditur nëse do ta shihte më kurrë. Nga ai moment, kali nisi një udhëtim të dhimbshëm dhe të rrezikshëm në mes të luftës. Ai kaloi nga duart e ushtarëve britanikë te ato gjermane, u përdor për të tërhequr topa e pajisje, pa nga afër vuajtjet e njerëzve dhe mizoritë e betejave, por edhe përjetoi momente njerëzillëku dhe mirësie.

Gjithë këto përvoja, Joey i tregonte me zërin e tij, si një dëshmitar i pafajshëm i një bote që po shkatërrohej. Megjithatë, në zemrën e tij ruante gjithmonë kujtimin e Albertit dhe shpresën se një ditë do të ribashkoheshin.

Pas shumë vështirësive, pas plagëve dhe rreziqeve, historia e Joey-t është edhe një rrëfim për forcën e miqësisë, për shpresën që nuk shuhet kurrë dhe për lidhjen e pathyeshme mes njeriut dhe kafshës.