Shpëtoi delen nga zjarret në Greqi, fotoja e shqiptarit në listën e BBC si më e mira për 2025-n

Olsien Muçobega, 33-vjeçari shqiptar që u bë simbol i humanizmit këtë verë në Greqi, ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Një foto e tij, ku shihet duke mbajtur në krah një dele mbi motor për ta shpëtuar nga flakët që përfshinë rajonin e Patrës në gusht, është përzgjedhur nga BBC si një nga 12 fotot më të mira të vitit 2025.
Imazhi prekës tregon Muçobegën teksa kalon mes reve të tymit me kafshën e mbajtur fort, në një skenë që BBC e përshkruan si kujtim të “Bariut të Mirë”, ku Krishti bart mbi supe një dele të shpëtuar.
Në ditën e zjarreve shkatërruese, Olsieni ndodhej në terren bashkë me miqtë e tij, duke ndihmuar zjarrfikësit dhe banorët e zonës. Ai ka rrëfyer se e shtyu në këtë akt dashuria për kafshët dhe ndjeshmëria ndaj dhimbjes.
Përveç fotos së tij, BBC ka përzgjedhur edhe 11 imazhe të tjera që shënuan vitin, mes tyre pamje të murgjve në lutje, notarëve që zhyten, shiut të meteorëve dhe varrit të Papa Françeskut.